Kapet “krimineli i rradhës”, policia neutralizon të riun që lëvizte me skuter elektrik

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.10.2025, 23:06

Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon momentin kur Policia e Shtetit neutralizon “kriminelin e rradhës” që po lëvizte me një skuter elektrik.

Në pamje shihen punonjësit e policisë duke ndaluar dhe më pas sekuestruar mjetin, ndërsa sipas qytetarit që dërgoi videon, i riu është shoqëruar edhe në komisariat, sikur të kishte kryer një krim të rëndë.

Qytetari që dërgoi videon, me nota ironie, shkruan:

“Përshëndetje JOQ. Shikoni si policia ‘tmerron’ të rinjtë që kanë skuter. Mirë që ua merr skuterin, po i shoqërojnë në rajon sikur këta kanë vra njeri.”

Ky episod vjen pas urdhrit të ministres së Brendshme Albana Koçiu, e cila ndaloi përkohësisht përdorimin e skuterëve elektrikë në të gjithë vendin, me argumentin se kishin shkaktuar shumë aksidente.

Që prej asaj dite, policia ka nisur një “ofensivë” të gjerë për sekuestrimin e këtyre mjeteve, duke u marrë skuterët dhjetëra qytetarëve që i përdorin për lëvizje të përditshme.

Por ndërkohë që të rinjtë shoqërohen për një mjet elektrik, kriminelë të rrezikshëm, trafikantë dhe grabitës vazhdojnë të qarkullojnë të lirë në rrugë, me dosje që prej vitesh presin drejtësi.

Duket se forca e ligjit funksionon vetëm ndaj adoleshentëve me skuter, ndërsa për botën e krimit, “bateria” e shtetit mbaron shpejt.

Ironia e situatës thellohet edhe më shumë kur qytetarët shohin se skuterat “BinBin” të bashkisë vazhdojnë të lëvizin të paprekur nëpër rrugët e Tiranës.

Një qytetar madje ka gjetur një prej tyre të djegur në fushën sportive të Ali Demit, çka ka ngritur pyetje mbi ndjenjën e padrejtësisë dhe trajtimin e pabarabartë mes qytetarëve të zakonshëm dhe atyre që kanë lidhje me institucionet.

Në fund, mbetet pyetja që shumë shqiptarë po bëjnë këto ditë:

A është më e lehtë për policinë të ndalojë një të ri me skuter, sesa të përballet me krimin e organizuar?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit