Në të njëjtën kohë kur politikanët tanë u mburrën për “hapin historik drejt Bashkimit Europian”, në Maliq u dogj një familje që jetonte me sobë druri dhe me shpresën se nesër do ishte pak më mirë.
Rrahime Hazisllari, 38 vjeç, dhe djali i saj Luka, 13 vjeç, ndërruan jetë mes tymit dhe blozës, në një banesë ku soba e vjetër ishte e vetmja mënyrë për t’u ngrohur. Vogëlushja 6-vjeçare, që vetëm një ditë më parë kishte festuar ditëlindjen, po lufton mes jetës dhe vdekjes në Pediatrinë e Tiranës.
Në rrjete sociale, i ati e kishte uruar me dashuri për ditëlindje, ndoshta pa menduar se ajo do ishte fotografia e fundit e gëzimit në atë shtëpi.
Zjarrfikësja arriti kur flakët ishin shuar, por jeta e tyre gjithsesi u dogj. Në dysheme u gjetën shkrepse, një dyshek sfungjeri, një sobë druri, simbole të varfërisë që nuk hyn dot në raportet e “progresit”.
Fqinjët tregojnë se nëna kishte arritur të nxirrte vajzën në oborr, por u kthye brenda për të shpëtuar djalin. Nuk doli më. Të dy u gjetën të asfikësuar, pranë derës së kuzhinës, aty ku ndoshta ndodhej edhe shpresa e fundit për të jetuar.
Familja Hazisllari ishte një nga ato që nuk përmenden në raportet e qeverisë për “rritjen ekonomike”, jetonin me 26 mijë lekë në muaj nga KEMP-i dhe paketa ushqimore. Në Shqipërinë e “rrugës drejt BE-së”, kjo është jeta e atyre që nuk kanë zë.
Në çdo fjalim politik flitet për reforma, për “shanse të barabarta”, për “të ardhme evropiane”. Por ndërkohë, në shumë shtëpi të këtij vendi, soba e druve nuk është kujtim nostalgjik, është realitet i përditshëm. Dhe flakët që përpijnë jetët e njerëzve të varfër nuk janë aksidente, janë pasojë.
Në fund, Rrahime Hazisllari nuk vdiq vetëm nga tymi. Ajo vdiq nga harresa. Nga një shtet që nuk di të ngrohë ndryshe veçse me fjalë.