Ndeshja e 11 tetorit në Leskovac do të mbahet mend gjatë në historinë e përfaqësueses shqiptare. Një fitore historike 1-0 ndaj Serbisë u vendos nga goli i shënuar nga Rey Manaj, i cili u shndërrua në hero për të gjithë kuqezinjtë. Festimi i tij me duart në formën e shqiponjës ndezi debatet, por për tifozët shqiptarë, goli dhe triumfi ishin të papërmbajtshëm.
Pas rikthimit në futbollin e klubeve, Manaj zbuloi se trajneri i tij në Sharjah, Milosh Milojević, i kishte dërguar urimet për golin. Milojević, me origjinë serbe, është një figurë kyçe në karrierën e Manaj dhe marrëdhënia mes tyre është shprehur si “e shkëlqyer” nga vetë sulmuesi.
“Marrëdhënia ime me trajnerin Milojević është e shkëlqyer. Kam respektin maksimal për të. Në fund të fundit, ai më përgëzoi kur u ktheva në klub nga angazhimi me Kombëtaren. Kjo është normale në futboll, ne jemi të gjithë këtu për suksesin e Sharjah,” tha Manaj për “Al Etihad”.
Përveç suksesit me kombëtaren, Rey Manaj vazhdoi formën e shkëlqyer edhe me klubin e tij, duke shënuar në ndeshjen e parë pas rikthimit, në fitoren 2-0 ndaj Al Dhafra. Ky moment konfirmon se sulmuesi shqiptar është në një formë të jashtëzakonshme, duke kombinua karrierën e tij në klub dhe performancën heroike me përfaqësuesen.