Banorët e rrugës Futbollisti në qytetin e Këlcyrës denoncojnë mungesën e pastrimit të mbeturinave prej më shumë se 9 muajsh. Sipas tyre, plehrat janë grumbulluar në mes të lagjes dhe përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin publik, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit që kalojnë çdo ditë në zonë.
Mesazhi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ ! Doja të bëja një denoncim sa i përket keq menaxhimit të pushtetit vendor në Bashkinë Këlcyrë. Ku prej më shumë se 9 muajsh plehrat në rrugën Futbollisti nuk pastrohen nga organet përkatëse, gjithashtu ka edhe mungesë koshash për mbetjet. Mbetjet ndodhen në mes të lagjes dhe janë burim infeksionesh për banorët.
Përveç mungesës së pastrimit të rregullt, banorët theksojnë edhe mungesën totale të koshave të mbetjeve, gjë që i detyron qytetarët t’i hedhin mbeturinat në rrugë apo trotuare. Era e rëndë dhe papastërtia kanë kthyer këtë zonë në një vatër të mundshme infeksionesh.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Këlcyrë dhe përgjegjësit vendorë. Ata i bëjnë apel kryetarit të bashkisë, Klement Ndoni, që të marrë masa konkrete për të zgjidhur këtë problem të vazhdueshëm dhe të sigurojë kushte minimale jetese për komunitetin.