Ish-drejtoresha e Kadastrës Durrës dënohet për pastrim parash, s’do bëjë asnjë ditë burg

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 20.10.2025, 13:29

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 7 vite burg ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, për veprën penale të pastrimit të parave në bashkëpunim.

Falë gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj u reduktua në 4 vite e 8 muaj burg, por ish-zyrtarja nuk do të vuajë asnjë ditë në qeli, pasi masa u konvertua në 3 vite shërbim prove.
Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurisë, përfshirë detyrimin për paraqitje dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Rajmonda Dashi u shpall fajtore për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, ndërkohë që të pandehurit e tjerë në këtë çështje morën dënime shumë më të rënda.

Tre personat e tjerë, Besjan Ramaj, Leonard Ramaj dhe Ardjan Malasi, u dënuan në total me rreth 22 vite burg për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, dy vëllezërit Ramaj, me ndihmën e ish-drejtoreshës së Kadastrës dhe të biznesmenit Malasi, kishin ngritur një skemë për pastrimin e parave të drogës përmes investimeve në pasuri të paluajtshme në zonën e Durrësit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit