Gjykata e Lezhës ka dënuar me 12 vite burg 38-vjeçarin Simon Gjoka nga Miloti, i cili fillimisht u arrestua për vjedhje bagëtish, por hetimet zbuluan edhe përfshirjen e tij në një lidhje me një vajzë 13-vjeçare. Prokuroria kërkoi 18 vite burg, por falë gjykimit të shkurtuar ai përfitoi ulje dënimi. Gjoka u shpall fajtor për “Vjedhje të kryer në bashkëpunim” dhe “Marrëdhënie seksuale me të mitur”.
Vajza e mitur ka deklaruar në prani të nënës dhe një psikologu se lidhja me Gjokën kishte qenë “me dëshirë”, ndërsa në telefonin e saj u gjetën prova komprometuese, përfshirë foto intime dhe komunikime të rregullta me të pandehurin. Hetimet ngritën dyshime se ajo ishte prezantuar edhe me persona të tjerë, çka mund të çojë në hetime të mëtejshme për shfrytëzim për prostitucion.
Gjoka u arrestua në shkurt 2025 si i dyshuar për vjedhje bagëtish në fshatin Gajush të Lezhës. Ai ka qenë në shënjestër të policisë për disa raste të tjera vjedhjesh në zonat përreth, ndërsa përgjimet telefonike zbuluan lidhjen e tij me të miturën, gjë që çoi në zgjerimin e hetimeve dhe në ngritjen e akuzave të reja.