Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 20.10.2025, 08:29
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut kanë përfunduar me një epërsi të qartë për partinë VMRO – DPMNE e Hristijan Mickoski, e cila ka shënuar një fitore të theksuar duke udhëhequr në 53 komuna, prej të cilave 34 i ka fituar në raundin e parë dhe 19 të tjera i ka siguruar për balotazh. Kjo tregon një rritje të madhe të mbështetjes për këtë subjekt politik, veçanërisht në krahasim me LSDM-në, partinë që deri vonë ishte në pushtet dhe që arriti të fitojë vetëm 3 komuna, duke shkuar në balotazh në 5 të tjera.
Në kampin shqiptar, koalicioni VLEN i Bilal Kasami ka dalë i dyti në renditjen e përgjithshme, duke fituar 5 komuna dhe duke shkuar në balotazh në 4 të tjera, përfshirë Tetovën dhe Bogovinjen, ku do të përballet me kandidatët e koalicionit rival AKI të udhëhequr nga BDI-ja e Ali Ahmetit. AKI ka siguruar 5 komuna që i kryesonte, pa nevojë për balotazh, duke ruajtur bastione të rëndësishme shqiptare si Gostivari, Lipkova dhe Vrapçishta. Shqiptarët nisën festën me tupana, valle dhe këngë tradicionale, duke festuar rezultatet e para me entuziazëm të madh.
Raundi i dytë i zgjedhjeve, i planifikuar për 2 nëntor, do të jetë vendimtar për shumë komuna, përfshirë Shkupin, ku kryeson aktualisht VMRO – DPMNE. Sipas rregullave zgjedhore, kandidati duhet të fitojë 50% + 1 të votave dhe të ketë pjesëmarrje prej të paktën një të tretës së votuesve të regjistruar për të fituar në raundin e parë. Duke parë epërsinë në raundin e parë, pritet që shumica e partive që kryesuan të konfirmojnë fitoren edhe në balotazh.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR