Vrasja e pronarit grek dhe punëtorit shqiptar, dy të dyshuarit japin dëshmi kontradiktore

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 19.10.2025, 18:29

Dëshmitë e dy 22-vjeçarëve të akuzuar për vrasjen e dyfishtë në kampingun “Ammos”, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 5 tetorit, po konsiderohen vendimtare për zbardhjen e plotë të krimit ku humbën jetën pronari i kampingut dhe miku i tij shqiptar.

Që prej mesditës, njëri prej të akuzuarve, me origjinë greko-britanike dhe i dyshuar si autori kryesor, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën e Kalamatës. Ndërkohë, shoku i tij, i cili u vetëdorëzua disa ditë pas ngjarjes, ka pranuar përfshirjen në krim, duke u paraqitur si bashkëpunëtor.

Në momentin e arrestimit në Athinë, i riu greko-britanik kishte refuzuar të jepte dëshmi në fazën paraprake, duke deklaruar përmes avokatit se nuk kishte qenë asnjëherë në kamping atë natë. Por pozita e tij është rënduar ndjeshëm pas dëshmisë së bashkëpunëtorit, i cili e ka përmendur si personin që qëlloi me armë. Kjo dëshmi është përforcuar edhe nga nipi i pronarit të kampingut, i cili është dëshmitari i vetëm okular i vrasjes.

Nga hetimet e deritanishme, në rrobat e sekuestruara në banesën e të dyshuarit nuk janë gjetur gjurmë baruti, por telefoni i tij celular po analizohet për të rindërtuar lëvizjet gjatë natës së ngjarjes.

Një element tjetër i rëndësishëm është rrëfimi i bashkëpunëtorit 22-vjeçar, i cili pretendon se pas vrasjes iu deshën rreth 7-8 orë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas ka ecur deri në Kalamata, ku është lokalizuar në stacionin e autobusëve KTEL një ditë më vonë. Kjo dëshmi po verifikohet për mospërputhje përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe deklaratave të tjera.

Në fokus të hetimeve është gjithashtu një makinë e bardhë, e cila është parë pranë kampingut si në natën e ngjarjes, ashtu edhe më 7 shtator, datë kur dyshohet se ka ndodhur një tentativë e dështuar për vrasje. Burime nga hetimi raportojnë se autoritetet janë pranë identifikimit të drejtuesit të automjetit, për të cilin dëshmitë flasin se mund të ketë qenë një grua, një detaj që mund të përmbysë tërësisht drejtimin e çështjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit