Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar nga policia e Katerinit në Selanik, gjatë një kontrolli në një vendndodhje që ata po përdornin. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën dhe sekuestruan sasi të konsiderueshme droge, një armë zjarri, para dhe disa telefona.
Policia sekuestroi 112 gramë marijuanë, 2.4 gramë kokainë, dy peshore elektronike precize, një pistoletë kalibri 9 mm me karikator dhe 7 fishekë, si dhe shuma prej 1,655 euro dhe 225 lekë shqiptare. Gjithashtu, u zbuluan dhe u konfiskuan një rrënjë marijuanë e kultivuar në një oborr, si dhe ekstrakte bimore marijuanë me peshë 1 kilogram e 158 gramë, në një depo të përdorur nga të arrestuarit.
Të arrestuarit dhe dosja e përgatitur kundër tyre do t’i dorëzohen Prokurorisë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Selanikut. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të tyre kriminal.