Sot bëhen tre vite nga ngjarja tragjike e 19 tetorit 2022, kur Lear Kurti, 32 vjeç, humbi jetën pas shoqërimit nga Policia e Shtetit në komisariatin nr.3 në Tiranë. Ngjarja tronditi opinionin publik, jo vetëm për rrethanat e pasqaruara të vdekjes, por edhe për kontradiktat mes institucioneve shtetërore që e trajtuan rastin. Në atë kohë, Policia deklaroi se i riu kishte humbur jetën në spital, ndërsa Spitali i Traumës mohoi këtë, duke bërë të ditur se Leari kishte mbërritur aty pa shenja jete.
Prokuroria dhe AMP dolën me një version tjetër, sipas të cilit në stomakun e 32-vjeçarit u gjet një qese me kokainë, që dyshohet se ai e kishte gëlltitur para ndalimit, dhe vdekja erdhi si pasojë e overdozës. Por ekspertët mjeko-ligjorë hodhën dyshime mbi këtë version, duke argumentuar se reagimi i substancës në trup nuk mund të jetë kaq i menjëhershëm dhe se autopsia u bë me nxitim, vetëm pesë orë pas vdekjes, në kundërshtim me rregulloren që kërkon të paktën 12 orë pritje për të vlerësuar plotësisht gjendjen e organeve.
Misteri rreth vdekjes së Learit thellohet edhe më shumë nga dëshmitë e familjarëve dhe miqve të tij, që thonë se ai ishte i dehur në momentin e ndalimit dhe se gjatë shoqërimit kishte pasur përplasje me policinë. Shoku i tij, Zyhdi Spahiu, pretendoi se pas deklaratës publike që dha për mediat, ai u vu nën presion të vazhdueshëm nga efektivët. E ndërsa institucione të ndryshme përpiqeshin të jepnin versionin e tyre, figura e Learit një i ri i adoptuar, i rritur mes vuajtjeve, i arsimuar dhe me pasione të veçanta u kthye në simbolin e një brezi të harruar nga sistemi.
Sot, tre vite më pas, e vërteta e asaj nate mbetet e paqartë. Ajo çfarë ndodhi me të, ndoshta e dinë vetëm vetë Leari dhe Zoti. Por ajo që dihet është se ai nuk jeton më, ndërsa dhimbja e familjes dhe pikëpyetjet mbeten të hapura. Në një Shqipëri ku drejtësia shpesh vonon, kujtimi i Lear Kurtit mbetet si një thirrje që ende kërkon përgjigje. Nëse përgjigjet nuk do të vijnë kurrë, le të mbetet kujtimi i tij një dritë që na paralajmëron se padrejtësitë nuk duhet të përsëriten më kurrë, dhe se çdo jetë ka vlerë të paprekshme.