Banorët e fshatit Rrajcë Fushë në Bashkinë Prrenjas shprehen të revoltuar nga mungesa e vëmendjes institucionale dhe premtimet e pambajtura për përmirësimin e infrastrukturës. Ata denoncojnë se prej shumë vitesh i janë drejtuar Kryetarit të Bashkisë, Nuri Belba, me kërkesa të përsëritura për ndërhyrje në rrugët e lagjeve të tyre, por gjendja mbetet e njëjtë. Rrugët janë të amortizuara, plot gropa, pa sistemim dhe të pakalueshme, veçanërisht gjatë stinës së shirave kur kthehen në baltë, duke vështirësuar jetesën e përditshme të mbi 2 mijë banorëve në gjashtë lagje të fshatit.
Sipas tyre, pavarësisht se dëgjojnë për fonde të akorduara për infrastrukturën rurale, asnjë investim nuk ka mbërritur në zonë, duke ngritur dyshime për keqpërdorim ose mospërdorim të fondeve. Banorët shprehen se kanë ndjekur rrugë institucionale pa rezultat dhe tashmë kërkojnë ndërhyrje urgjente, duke iu drejtuar publikisht “JOQ” për ta bërë të ditur problematikën dhe për të kërkuar transparencë dhe zgjidhje nga autoritetet.
Denoncimi i banorëve:
Ne, banorët e fshatit Rrajcë Fushë, jemi të lodhur nga premtime të pambajtura dhe nga mungesa e çdo investimi në zonën tonë. Prej shumë vitesh i jemi drejtuar me kërkesa të përsëritura Kryetarit të Bashkisë Prrenjas, z. Nuri Belba, por gjendja e rrugëve tona mbetet e njëjtë — e amortizuar, e prishur dhe e pakalueshme në shumë segmente.
Fshati Rrajcë Fushë ka 6 lagje: Lagjja e Tarushit, Rira, Ballshkashi, Hallidri, Hana dhe Beqollarët, ku bëhen mbi 2 mijë banorë, por megjithatë është lënë në harresë totale. Rrugët janë plot gropa, pa sistemim, pa asfalt dhe pa asnjë kujdes nga ana e bashkisë. Gjatë reshjeve të shiut, rruga kthehet në baltë, duke e bërë të pamundur kalimin e automjeteve dhe qarkullimin e banorëve. Kjo situatë është e rëndë sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe nënat me fëmijë të vegjël.
Megjithëse jemi munduar të kërkojmë zgjidhje në rrugë institucionale, bashkia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret, duke u mjaftuar vetëm me premtime boshe. Ndërkohë, dëgjojmë për fonde të akorduara për infrastrukturën rurale, por asgjë nuk reflektohet në terren. Kjo na bën të besojmë se fondet ose keqpërdoren, ose nuk arrijnë kurrë në destinacionin e duhur.
Prandaj, përmes këtij mesazhi publik, i drejtohemi “Jeta Osh Qejf” me shpresën që zëri ynë të dëgjohet, që të vihet në pah neglizhenca e institucioneve dhe të kërkohet transparencë për fondet e investimeve që na takojnë, pasi ka vite ku nuk po vihet dorë në këto lagje.
Në pritje të një reagimi dhe ndihme konkrete, Banorët e fshatit Rrajcë Fushë, Bashkia Prrenjas