Qytetari gjen çamçakëzin e ngjitur në bukë: Ç’po hamë?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 19.10.2025, 12:31

Një çamçakëz i ngjitur në një copë bukë. Një detaj i vogël, por që tregon gjithë pisllëkun që fshihet pas furrave “moderne” të Tiranës. Buka që të mban frymën, po kthehet në rrezik për shëndetin. Dhe e gjithë kjo, sepse përgjegjësia është kthyer në një fjalë të vdekur.

Në këtë histori, nuk ka nevojë për shumë hetime: fajin e kanë ata që prekin bukën me duar të palara, që e shesin pa respekt, dhe ata që duhej ta kontrollonin, por nuk e bëjnë kurrë.

Furrat e bukës janë kthyer në “punëtori shpëtimi” ku nuk ekziston higjiena, nuk ka as mbikëqyrje, as ndërgjegje. Punëtorët shpesh mendojnë vetëm për sasinë, jo për cilësinë. Dhe ndërsa brumi përzihet me shpejtësi, në të përzihen edhe papastërtia, lodhja dhe përçmimi për konsumatorin. Sepse për disa, buka s’është më ushqim, është biznes.

Nga ana tjetër, AKU është kthyer në një institucion që zgjohet vetëm kur del ndonjë foto në rrjete sociale. Në letra, Shqipëria ka kontrolle, standarde dhe inspektime. Në realitet, nuk ka asnjë kontroll, asnjë ndëshkim dhe asnjë përgjegjësi. Konsumatori është i braktisur mes furrtarëve të pakujdesshëm dhe një shteti që bën sehir.

Një çamçakëz në bukë mund të duket si rastësi, por në fakt është pasqyra e një sistemi që është mykur nga brenda. Sepse sot i ndodh një qytetari i zakonshëm, nesër mund t’i ndodhë një fëmije, një të moshuari, apo më ironikja, vetë punëtorit që e ka gatuar atë bukë.

Dhe kështu, çdo ditë, qytetarët hanë jo vetëm bukë, por edhe pak nga turpi dhe heshtja e këtij sistemi. Sepse në Shqipëri, buka mund të vijë me surpriza, herë me fara, herë me krunde, e herë me çamçakëz.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit