Një përplasje e thjeshtë “sup më sup” mes dy të rinjve u kthye në tragjedi në Peruxhia. Nga një debat i kotë në një lokal, situata degradoi brenda pak minutash në një sherr që i mori jetën 23-vjeçarit shqiptar Hekuran Cumani, i cili u godit për vdekje me thikë në gjoks, në parkingun e Universitetit të Peruxhias.
Autori i dyshuar është një bashkëmoshatar i tij – një i ri me flokë kaçurrela dhe lëkurë ngjyrë ulliri, për të cilin policia italiane ka nisur kërkimet intensive.
Sipas hetimeve, gjithçka nisi rreth orës 04:00 të mëngjesit të së shtunës, në lokalin “110 Caffè”. Hekurani ndodhej me një grup prej rreth dhjetë miqsh, që kishin udhëtuar nga Fabriano drejt Peruxhias për fundjavë.
Në një moment, teksa po kalonin pranë një grupi tjetër të rinjsh, shumica studentë të huaj, ndodh ajo që duket si një rastësi e vogël: një përplasje sup më sup. Fillimisht një fjalë, pastaj një kundërpërgjigje, dhe situata del jashtë kontrollit.
Një thirrje për të “dalë jashtë” mjaftoi që gjithçka të përshkallëzohej. Në parkimin mes Via Alessandro Pascoli dhe Via Luigi Vanvitelli, përballja merr fund me një goditje të vetme me thikë midis gjoksit dhe qafës së Hekuranit.
Vëllai i tij u përpoq ta ndalonte agresorin, por mbeti i plagosur në këmbë. Kur policia mbërriti, 23-vjeçari ishte shtrirë në asfalt, i pajetë. Gjurmët në tokë tregonin se ai ishte përpjekur të zvarritej disa metra përpara se të rrëzohej.
Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi një plagë të vetme, fatale, që kishte prekur organet jetësore. “Një akt dhune i papritur dhe pa arsye reale”, theksoi prokuroria e Peruxhias, ndërsa analizohen pamjet e kamerave të sigurisë që mund të zbulojnë momentin fatal të përplasjes së nisur nga një sup më sup, dhe përfunduar me një jetë të humbur.