Richard Grenell, emisari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ka kërkuar që të ndalet financimi për Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Përmes një postimi në platformën X, Grenell ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj këtij institucioni, duke e cilësuar atë si “totalisht të korruptuar” dhe duke e akuzuar për trajtim të padrejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Grenell ka kritikuar ashpër edhe Prokurorin Special Jack Smith, i cili në kohën kur ishte pjesë e Dhomave të Specializuara kishte lëshuar urdhër-arrestin ndaj Thaçit. Ai theksoi se edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë vjet që nga arrestimi, procesi gjyqësor ka nisur vetëm së fundmi, duke e quajtur këtë një padrejtësi të madhe dhe një dështim të sistemit të drejtësisë ndërkombëtare.
Deklaratat e Grenell vijnë në një kohë kur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon në Hagë, ndërsa mbështetja ndërkombëtare për Gjykatën Speciale mbetet e ndarë. Komentet e tij pritet të shkaktojnë debat të gjerë politik, veçanërisht në Kosovë, ku çështja e Gjykatës Speciale mbetet një temë tejet e ndjeshme.