I riu afrikan e goditi me thikë në gjoks: Detaje nga vrasja e shqiptarit në Itali, i plagosur edhe i vëllai

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.10.2025, 09:26

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ka tronditur qytetin e Perugias në orët e para të mëngjesit të së shtunës, më 18 tetor.

Rreth orës 04:30, në parkimin e Departamentit të Matematikës dhe Informatikës të Universitetit të Perugias, u gjet pa shenja jete 23-vjeçari Hekuran Cumani, me origjinë shqiptare dhe banues në Fabriano.

Sipas hetimeve të para, i riu ka humbur jetën pasi është goditur me një thikë midis qafës dhe gjoksit, në përfundim të një zënke që kishte nisur jashtë një lokali në zonën universitare. Ngjarja ka ndodhur pas përfundimit të një feste, kur sipas dëshmive, një grindje për motive të parëndësishme mes dy grupeve të të rinjve ka degjeneruar në përplasje fizike.

Njëri prej pjesëmarrësve, nga grupi i djemve me origjinë magrebiane, dyshohet se ka përdorur thikën.

Në përleshje është plagosur lehtë edhe vëllai i viktimës, i goditur në këmbë. Ekipet e urgjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë Cumanin rezultuan të kota. Prokuroria e Perugias ka hapur një hetim për vrasje, aktualisht kundër personash të paidentifikuar.

Policia shkencore izoloi zonën dhe mblodhi prova materiale e dëshmi. Gjurmët në asfalt tregojnë se Hekurani ka tentuar të largohet pas goditjes, por është rrëzuar disa metra më tej. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po marrin në pyetje dëshmitarë për të rindërtuar ngjarjen.

Dëshmitë e para flasin për një autor me ngjyrë të errët të lëkurës dhe flokë kaçurrela, që mund të jetë pjesë e grupit të të rinjve me origjinë magrebine.

Kush ishte Hekuran Cumani

Sipas të afërmve dhe miqve, Hekurani ishte një djalë i qetë, “me zemër të madhe” dhe i pasionuar pas palestrës. Ai punonte sezonalisht në sektorin e shërbimeve në zonën e Senigallias dhe nuk kishte pasur probleme me ligjin. “Nuk kërkonte telashe,” ka thënë një kushëri i tij, i tronditur nga mënyra e dhunshme e vdekjes.

Sipas hetuesve, për momentin përjashtohet lidhja me trafikun e drogës apo ambientin universitar. Pista më e mundshme është ajo e një sherri të rastësishëm, që ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfunduar tragjikisht. Policia po përpiqet të identifikojë të gjithë të rinjtë e përfshirë dhe autorin e goditjes fatale.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje dhe indinjatë si në Fabriano, ashtu edhe në Perugia. Zona universitare, e njohur për jetën e gjallë të natës, është sërish në qendër të vëmendjes për shkak të dhunës mes të rinjve. Banorët e lagjes Porta Conca prej muajsh ankohen për zhurma, grindje dhe përleshje që shkelin qetësinë publike.

Deri tani nuk ka persona të ndaluar. Në orët në vijim pritet të zhvillohen marrje të reja në pyetje, analiza të provave biologjike dhe autopsia, e cila do të përcaktojë me saktësi mënyrën e vrasjes. Prokuroria e Perugias vazhdon hetimet për të identifikuar autorin dhe për të dhënë drejtësi për vdekjen e Hekuran Cumanit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit