Një avokat është arrestuar këtë të shtunë pas një incidenti të rëndë në sallën e gjyqit, ku kërcënoi prokurorin Gjergji Ceka, gjatë seancës për çështjen penale ndaj M.L, i njohur me nofkën “Suci”. Avokati, i identifikuar si Ulian Barjami, përfaqësonte M.L. në këtë proces dhe shpërtheu ndaj përfaqësuesit të akuzës, duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të sigurisë dhe ndalimin e tij.
M.L është ndaluar më herët gjatë një aksioni blic të zhvilluar në Elbasan dhe dyshohet për lidhje me personazhe të botës së krimit, përfshirë E. Shullazin. Ai akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të rendit gjatë ndalimit. Në momentin e ndërhyrjes, shtetasi L. ndodhej në një takim që autoritetet e kanë identifikuar si të lidhur me aktivitete të organizatave kriminale.
Ngjarja në sallën e gjyqit ka shtuar tensionin rreth këtij procesi, ndërsa autoritetet pritet të marrin masa ndaj avokatit Barjami për sjelljen e tij në ambientet e gjykatës.