Vrasje, kokainë dhe pastrim parash, fundoset perandoria “Çopja”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.10.2025, 17:06

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e njohur si “Çopja”, ku 33 persona akuzohen për një sërë veprash të rënda penale që variojnë nga vrasjet me pagesë, trafiku i kokainës, korrupsioni dhe pastrimi i parave.

Në krye të organizatës, sipas SPAK, qëndrojnë vëllezërit Franc Gergely alias Franc Çopja dhe Hajdar Bako alias Hajdar Çopja, të cilët akuzohen se kanë ngritur një rrjet të gjerë kriminal që ka vepruar në Shqipëri dhe jashtë saj.

Aktiviteti i organizatës:

Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet e huaja përmes letërporosive ndërkombëtare, kanë zbuluar se grupi “Çopja” ka qenë i përfshirë në:

  • Vrasje me pagesë dhe tentativa për eliminimin e rivalëve, të financuara nga të ardhurat e trafikut të kokainës;
  • Korrupsion të funksionarëve publikë, përfshirë punonjës policie dhe gjyqtarë, me qëllim sigurimin e informacioneve apo mbylljen e çështjeve në favor të tyre;
  • Rekrutimin e efektivëve të policisë në Durrës e Elbasan për mbështetje operative;
  • Pastrimin e parave përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe biznese në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Nga Italia te trafiku ndërkombëtar

Veprimtaria e grupit daton që prej viteve 2006–2007, kur vëllezërit Çopja nisën aktivitetin kriminal në Itali me shpërndarjen e sasive të vogla të kokainës. Me kalimin e viteve, ata u fuqizuan ekonomikisht dhe zgjeruan ndikimin në disa vende të Europës, si Holanda, Belgjika dhe Mbretëria e Bashkuar. Pas vitit 2018, grupi u shndërrua në një organizatë të mirëfilltë kriminale me lidhje ndërkombëtare, që jo vetëm merrej me trafikun e drogave të forta, por porosiste edhe vrasje ndaj kundërshtarëve.

Struktura e grupit

Sipas hetimeve, përveç dy drejtuesve kryesorë, pjesë e organizatës kanë qenë:

  • Mikael Qosja (Kamami) – organizator i vrasjeve;
  • Talo Çela, Ervis Bitri dhe Flobenc Meçja – krahu i armatosur, përgjegjës për ekzekutimet;
  • Dhjetëra bashkëpunëtorë të tjerë që kanë siguruar mjete, armë, informacion dhe mbështetje logjistike për veprimet e grupit.

SPAK thekson se organizata “Çopja” ka arritur të krijojë ndikim të gjerë, duke korruptuar gjyqtarë e zyrtarë për të mbyllur çështje penale dhe për të dobësuar pozitat e kundërshtarëve të saj.

Dosja tashmë ndodhet në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, ku 33 të pandehurit do të përballen me akuzat për vrasje të kryera në bashkëpunim, trafik droge, korrupsion dhe pastrim parash — një prej dosjeve më të mëdha që SPAK ka dërguar në gjykatë vitet e fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit