Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin italian të Peruxhias, ku një 23-vjeçar shqiptar, Hekuran Cumani, u gjet i pajetë në orët e para të mëngjesit në parkingun e Departamentit të Matematikës të universitetit lokal.
Autoritetet italiane u alarmuan rreth orës 04:00, por kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, për të riun nuk mund të bëhej më asgjë.
Hetimet paraprake tregojnë se Cumani është goditur me thikë, me një plagë të thellë në zonën e gjoksit, që rezultoi fatale. Dëshmitarë të pranishëm kanë raportuar një përleshje mes dy grupeve të rinjsh, e cila përfundoi në tragjedi.
Sipas burimeve, grindja ka nisur për një arsye të parëndësishme dhe dyshohet se mund të ketë shpërthyer jashtë një lokali të natës pranë zonës “100Dieci”. Pas konfliktit, autorët janë larguar menjëherë, duke e lënë viktimën të plagosur rëndë në tokë.
Policia italiane ka mbërritur në vendngjarje për të sekuestruar provat dhe për të marrë dëshmitë e personave që ndodheshin aty. Shërbimet e urgjencës mjekësore arritën vetëm të konfirmonin vdekjen e të riut shqiptar.
Nga hetimet e para, mësohet se Hekuran Cumani kishte mbërritur në Peruxhia së bashku me disa miq për të kaluar mbrëmjen në qytet. Aty janë takuar me një grup tjetër të rinjsh vendas, dhe pas një debati verbal, situata ka degjeneruar në dhunë.
Në vendngjarje janë gjetur njolla gjaku përpara godinës së Departamentit të Matematikës dhe në disa pika të parkingut. Po ashtu, pranë hyrjes janë zbuluar shishe pijesh alkoolike dhe gota plastike, elementë që tregojnë se aty mund të ketë pasur një grumbullim të mëparshëm.
Një detaj i pazakontë ka rënë në sy të hetuesve: një shishe plastike me njolla gjaku, e gjetur pranë një pellgu gjaku, duke lënë të kuptohet se dikush mund të ketë tentuar të fshihte gjurmët pas sulmit.
Policia italiane po vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij krimi që ka tronditur jo vetëm komunitetin shqiptar në Itali, por edhe qytetarët e Peruxhias.