Një qytetare nga Sukthi i është drejtuar redaksisë së JOQ duke denoncuar gjendjen skandaloze të rrugës në lagjen nr. 6 të këtij territori. Ajo ka dërguar një video ku tregohet qartë se rruga është në gjendje tërësisht të dëmtuar, duke e bërë të pamundur qarkullimin normal, sidomos për mjetet e transportit të nxënësve.
Sipas saj, për shkak të rrugës së keqe, autobusi që më parë transportonte fëmijët për në shkollë, tashmë nuk vjen më. Si pasojë, fëmijët janë të detyruar të ecin në këmbë rreth 4 kilometra çdo ditë, vajtje-ardhje, për të ndjekur mësimin në shkollën “Sukth Vardardh”.
Megjithëse shqetësimi është i përsëritur, banorët shprehen se kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, nuk ka marrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e kësaj rruge. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të siguruar kushtet minimale të lëvizjes dhe për të garantuar të drejtën për arsim të fëmijëve të zonës.