Një mrekulli e vërtetë ndodhi mbrëmjen e djeshme në emisionin “Për Shqiptarët”, ku zemrat e mijëra njerëzve u bashkuan për të shpëtuar jetën e Sadik Micit, një 12-vjeçari të prekur nga një sëmundje tepër e rrallë, sindroma Stephens-Johnson. Brenda vetëm pak ditësh, sëmundja e rëndë i shkaktoi dëmtime të rënda në lëkurë, duke e futur në një gjendje kritike për jetën.
Në një maratonë 24-orëshe solidariteti, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit u bashkuan për të ndihmuar Sadikun. Nga shokët e lagjes që ngjisnin fletushka në rrugë, tek mësuesit dhe bashkëmoshatarët që derdhnin lot për mikun e tyre, e deri te prindërit që kishin humbur shpresat. Kulmi i emocioneve erdhi në momentin që avioni spitalor mbërriti në Rinas për ta dërguar djaloshin drejt kurimit jashtë vendit. Në studio, Elvis Naçi, Bora Zemani dhe e gjithë salla shpërthyen në lot gëzimi.
Falë mijëra donacioneve nga shqiptarë anembanë botës, u mblodhën 105 mijë dollarë në vetëm një ditë, duke i dhënë Sadikut një shans për jetë.
Të gjithë shpresojnë që ai të shërohet sa më shpejt, të kthehet në atdhe pranë familjes dhe të luajë sërish me shokët e tij të klasës.
Shërim të shpejtë, vogëlush! Zoti qoftë me ty.