Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar paraditen e sotme në Durrës.
Sipas raportimeve të para, ngjarja ka shkaktuar disa të plagosur, ndërsa dyshohej se mund të kishte edhe viktima, por fatmirësisht sipas informacionit paraprak nga u konfirmua se nuk ka viktima.
Mjeti i përfshirë në aksident dyshohet se ka humbur kontrollin, duke përfunduar në krahun e kundërt të rrugës, pranë mbikalimit në zonën e “Plepave”.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë rrugore dhe ekipet e urgjencës, të cilat po u japin ndihmën e parë të lënduarve dhe po punojnë për rikthimin e qarkullimit normal në aksin ku ndodhi përplasja.
Durrës/Informacion paraprak:
Në aksin rrugor “Kavajë – Plepa”, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave”, automjeti me drejtues shtetasin E. B., 61 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin S. P., 65 vjeç.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar të dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjerët A. D., P. P. dhe L. B., të cilët ndodheshin në automjetin e drejtuar nga shtetasi E. B. Aktualisht, ata po marrin ndihmë mjekësore në spital.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.