Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ledjan dhe Klaudio Kapllanajn, dy nipërit e Agron Kapllanajt si dhe Gerald Kollçakun, të akuzuar për dhunë ndaj efektivëve të Forcës Operacionale dhe një hetuesi të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ngjarja ndodhi më 15 prill 2025 gjatë një operacioni të organizuar nga SPAK në qytetin e Fierit. Të pandehurit do të përballen me akuzën “Goditje për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet provuan se, gjatë lëvizjes së efektivëve në disa pika të qytetit të Fierit, ata janë ndjekur dhe më pas ndaluar nga tre të rinjtë. Pavarësisht se punonjësit e shtetit ishin prezantuar me identitetin dhe funksionin e tyre zyrtar, Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj, së bashku me Gerald Kollçakun, ushtruan dhunë fizike ndaj tyre, duke penguar dhe rrezikuar veprimtarinë hetimore.
Pas incidentit, të tre të akuzuarit u arrestuan në flagrancë dhe ndaj tyre janë marrë masa sigurie “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”. Prokuroria e Fierit thekson se është e angazhuar për të mbrojtur rendin ligjor, autoritetin e institucioneve shtetërore dhe sigurinë e punonjësve që zbatojnë ligjin.