“Më gjobitën dy herë në të njëjtën orë dhe minutë për të njëjtën shkelje”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.10.2025, 23:16

Një qytetar nga Pogradeci i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast të pazakontë, me protagonistë Policinë Bashkiake të qytetit.

Ai tregon se është gjobitur dy herë në të njëjtën ditë, orë dhe minutë, për të njëjtin parkim të gabuar, nga dy punonjës të ndryshëm policie. Qytetari ka dërguar në redaksi edhe fletët e gjobave, ku duken qartë emrat e punonjësve, Armand Vako dhe Romeo Kadilli.

Sipas tij, pas marrjes së gjobës së parë, ai e ka paguar menjëherë dhe sistemi e ka fshirë, por disa ditë më vonë, e njëjta gjobë i është shfaqur sërish në sistem. Kur është interesuar në Policinë Rrugore të Tiranës, i është thënë se në fakt janë vendosur dy gjoba për të njëjtin shkelje nga dy efektivë të ndryshëm.

Në mesazhin dërguar JOQ Albania, ai shkruan:

“Isha një fundjavë në Pogradec dhe më vunë një gjobë për parkim. Vij në Tiranë e paguaj. E kontrolloj në moment tek sistemi i postës dhe ishte fshirë. Pas disa ditësh, më del sërish në sistem e njëjta gjobë. Interesohem tek policia rrugore e Tiranës dhe më thonë që janë vendosur dy gjoba në të njëjtin vend, orë e minutë, por nga dy policë të ndryshëm: Armand Vako dhe Romeo Kadilli. Tani s’dimë ç’të bëjmë, ta paguajmë prapë gjobën?!”

Rasti ka ngjallur shumë dyshime dhe qytetari kërkon shpjegime nga institucionet për situatën e pazakontë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit