Një udhëtim i mundshëm i Vladimir Putinit në Hungari për takimin e shumëpërfolur me Donald Trump ka hapur debate të nxehta në mediat ndërkombëtare. Arsyeja: për të mbërritur në Budapest, lideri rus duhet të fluturojë mbi hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s apo BE-së, gjë që aktualisht i ndalohet për shkak të sanksioneve dhe urdhër-arrestimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Sipas analizave të mediave ruse dhe ekspertëve të sigurisë, një nga rrugët më të mundshme për të shmangur kufizimet mund të jetë “korridori i Ballkanit”, që përfshin kalimin përmes Turqisë, Mesdheut, Malit të Zi ose Shqipërisë, më pas në Kosovë, Serbi dhe Hungari. Kjo linjë, sipas analistit amerikan Kirill Benediktov, është “opsioni më realist” që i mbetet Kremlinit.
Edhe pse një itinerar i tillë do të kërkonte autorizim të veçantë nga disa shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, burime diplomatike europiane thonë për La Repubblica se në rast se samiti zhvillohet vërtet në Budapest, “amerikanët do të duan që Putin të jetë i pranishëm, mënyra si do të mbërrijë është një tjetër histori”.
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anita Hipper, sqaroi se ndalimi i fluturimeve ruse në hapësirën ajrore të BE-së mbetet në fuqi, por “shtetet anëtare mund të japin përjashtime në raste të veçanta”.
Nga ana tjetër, nëse Putini mbërrin në Hungari, Budapesti do të detyrohet ligjërisht ta arrestojë, për shkak të urdhër-arrestimit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte në Ukrainë. Megjithatë, sipas burimeve diplomatike të BE-së, “askush nuk do të habitej nëse Orbán nuk do ta arrestonte”.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse Tirana do të jetë pjesë e itinerarit të mundshëm të Putinit, por vetë ideja që Rusia mund të përdorë hapësirën ajrore shqiptare për një vizitë që sfidon sanksionet ndërkombëtare, ka ndezur interesin e diplomacisë perëndimore.