Ilir Trebicka shemb Pallatin e Sportit për kulla luksoze në zemër të Tiranës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.10.2025, 20:17

Pallati i Sportit “Asllan Rusi” do të shembet për t’i lënë vendin një kompleksi gjigant me kulla banimi dhe një arenë të re sportive. Fitues i projektit është shpallur konsorciumi i udhëhequr nga kompania Trema Tech sh.p.k e biznesmenit Ilir Trebicka, në bashkëpunim me Likado BV, Albanian Capital Group sh.p.k, BCN Investments B.V dhe studion e njohur MVRDV.

Projekti fitues, i përzgjedhur në konkursin ndërkombëtar të zhvilluar nga Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH), parashikon ndërtimin e një “topi” betoni 20-katësh që do të zëvendësojë godinën ekzistuese. Në këtë kompleks do të përfshihet një arenë multifunksionale me rreth 6 mijë vende, hapësira për media, salla trajnimi, mjedise për trajtime mjekësore dhe ambiente për federatat sportive të basketbollit, volejbollit, peshëngritjes, mundjes, boksit, gjimnastikës, pingpongut dhe taekëondos.

Por përveç anës sportive, projekti do të ketë edhe 26,500 m² ndërtim për funksione rezidenciale dhe tregtare, të cilat do të shiten në treg nga konsorciumi privat.

Jurisë që përzgjodhi fituesin i kryesoi Kryeministri Edi Rama, ndërsa pjesë e saj ishin edhe Blendi Gonxhe (Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit), Fidel Ylli (KOKSH), Elira Kokona (KISH), Adelajda Roka (AZHT) dhe Adelina Greca (AKPT).

Sipas drejtoreshës së KISH, Elira Kokona, projekti “Rijetësimi i Pallatit të Lojërave me Dorë ‘Asllan Rusi’” do të sjellë një pallat të ri sporti me 13,500 m² ndërtim mbi tokë (nga 5,000 që janë aktualisht), 2,500 m² hapësira të jashtme dhe 12,500 m² parkim publik.

Në letër, Bashkia e Tiranës përfiton një arenë të re moderne, ndërsa partneri privat merr lejen për ndërtim dhe shitje të kullave për banim në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit.

Projektin e menaxhon Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila u autorizua nga Këshilli i Ministrave në maj të këtij viti të veprojë si zhvillues i pronës dhe autoritet kontraktor për zgjedhjen e partnerit privat.

Në thelb: një tjetër pasuri publike në qendër të Tiranës kalon në duart e një konsorciumi privat përmes formulës së “bashkëpunimit publik-privat”, me premtimin se sporti do të bëhet pjesë e jetës së përditshme — mes kullave dhe apartamenteve luksoze.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit