Raporti i KLSH “trondit” Bashkinë e Vlorës: 500 milionë lekë dëm ekonomik, projekte të parealizuara dhe abuzime me tenderat

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 17.10.2025, 15:31

Prej disa ditësh, Bashkia e Vlorës po përballet me pasojat e raportit të dytë të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili ka evidentuar shkelje serioze në menaxhimin e fondeve publike dhe në zbatimin e projekteve infrastrukturore nga institucionet nën varësi të bashkisë.

Në raportin e parë, KLSH kishte fokusuar vëmendjen tek dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e 4 tetorit 2024 dhe tek mosrealizimi i projekteve që do të mund të kishin parandaluar situatën e rëndë të krijuar. Grupi i punës së KLSH, pas inspektimit në terren, konstatoi jo vetëm dëmin ekonomik të përmbytjeve, por edhe mungesën e investimeve efektive nga Bashkia e Vlorës.

KLSH Konkluzioni i përgjithshëm i auditimit Bashkia Vlorë

Sipas raportit të fundit, dëmi ekonomik brenda strukturave të bashkisë arrin rreth 500 milionë lekë të vjetra, një shifër alarmante që tregon qartë se paratë publike nuk janë menaxhuar si duhet. Auditi evidenton gjithashtu , shkelje në prokurimet publike, ku tenderat janë favorizuar ose nuk janë dokumentuar siç duhet, projekte të parealizuara, pavarësisht fondeve të alokuara, investime të shumta pa dokumentacion përkatës, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe ligjshmërinë e tyre.

Si pasojë e këtyre parregullsive, 12 persona brenda strukturave të bashkisë janë ngarkuar me përgjegjësi financiare. Raporti pritet të sjellë pasoja administrative dhe ligjore, si dhe të nxisë verifikime të mëtejshme për mënyrën se si janë menaxhuar fondet publike.

Raporti i KLSH vë në dukje një problem të thellë në administrimin e financave të qytetit dhe ngrit pyetje serioze për transparencën, përgjegjësinë dhe kontrollin e brendshëm në institucionet lokale. Qytetarët e Vlorës mbeten të shqetësuar mbi mënyrën se si janë përdorur paratë e tyre dhe kush do të mbajë përgjegjësi për këtë dëm të konsiderueshëm ekonomik.

Hetimet dhe verifikimet e mëtejshme pritet të hedhin më shumë dritë mbi këtë çështje dhe të tregojnë nëse kemi të bëjmë me keqmenaxhim apo abuzim të qëllimshëm me fondet publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit