Tregu i Novoselës, i cili zhvillohet çdo të enjte në Vlorë, vijon të funksionojë në kushte aspak të denja për tregtarët dhe qytetarët. Mungesa e infrastrukturës ka bërë që, sa herë bie shi, zona të kthehet në një terren me baltë dhe pellgje uji, ku tregtarët detyrohen të shesin produktet e tyre në kushte të mjerueshme.
Prej vitesh, tregu funksionon pa asnjë infrastrukturë, pa mbulesa dhe pa kushte minimale higjieno-sanitare. Çdo reshje e kthen zonën në një kënetë, duke dëmtuar jo vetëm produktet bujqësore dhe blegtorale që shiten, por edhe dinjitetin e tregtarëve.
Tregtarët shprehen se dhe pse paguajnë taksa, situata përsëritet prej vitesh, por askush nuk ka marrë masa për ta rregulluar. Ata thonë se jo vetëm që punojnë në kushte të vështira, por shpesh edhe klientët e shmangin tregun për shkak të gjendjes së rënduar, duke i lënë pa nxjerrë as bukën e gojës.
Ata kërkojnë me ngulm ndërhyrjen e Bashkisë së Vlorës, e cila, sipas tyre, është mjaftuar vetëm me premtime boshe ndër vite. Në mungesë të një zgjidhjeje konkrete, shumë prej tyre rrezikojnë të braktisin tregun, duke humbur kështu burimin e vetëm të të ardhurave.
Mesa duket për luksin ka gjithmonë fonde, ndërsa për kushtet bazike të tregtarëve të Novoselës nuk ka asnjë investim.