Nën tingujt e këngës legjendare patriotike “Çlirimtari” të të madhit Ilir Shaqiri, shqiptarët e Kosovës kanë marrë rrugën drejt Tiranës me autobusë të mbushur me flamuj kuq e zi dhe flamuj të UÇK-së, për t’u bashkuar në një protestë madhështore për drejtësi dhe nderim të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me zemrën plot besim në fitoren e së vërtetës, qindra qytetarë do të marshojnë në Sheshin “Skënderbej”, duke ngritur zërin për lirinë që i takon çdo dëshmori dhe luftëtari të Atdheut.
Kjo protestë e organizuar nga veteranët e UÇK-së, me moton “Liria ka emër”, është një mesazh i fuqishëm i bashkimit dhe krenarisë kombëtare. Në tubim do të marrin pjesë figura të shquara nga Kosova dhe Shqipëria. Kryebashkiaku i Prishtinës ka siguruar transport falas për veteranët që do të ngrenë zërin për të kaluarën e lavdishme të UÇK-së dhe të ardhmen e denjë të popullit shqiptar. Në këtë ditë historike, Rruga e Kombit hapet pa pagesë për të lehtësuar rrugëtimin e patriotëve nga Kosova.

Me flamujt që valëviten krenarisht dhe këngët që përshkojnë rrugën, kjo protestë është një thirrje për një Shqipëri dhe Kosovë të bashkuara, të lirë dhe të forta, që nuk harrojnë sakrificën e dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë. Shqipëria dhe Kosova janë sot një zë i vetëm, një zemër e bashkuar në mbrojtje të dinjitetit kombëtar.
