Në një skenë që duket si copë nga komedia e përditshme shqiptare, Policia e Shtetit ka vendosur këtë herë të bëj diçka ndryshe, një xhiro në shëtitoren e liqenit artificial. Po, ashtu siç e lexuat: makina të uniformuara kalojnë në rrugën që është e ndaluar për qarkullim të automjeteve, ndërsa qytetarët që ecin ose bëjnë sport mbeten spektatorë të një fenomeni që ata si individë pa pushtet e pa uniforma e kanë të ndaluar.
Ironia është e qartë: ndërkohë që qytetarët ndëshkohen për gjëra nga më të voglat, vetë Policia duket se ka zënë një “të drejtë të veçantë” për të kaluar me sirenë dhe drita të ndezura aty ku ligji nuk lejon asnjë makinë.
Ndërkohë, pyetja e vetme që lind është: kujt i shërben kjo “xhiro”? Ndoshta për të treguar qytetarëve që ligji është relativ? Ose thjesht për të provuar se dikush mund të shijojë liqenin artificial nga komoditeti i sediljes së makinës së policisë?
Në fund të fundit, spektakli i vërtetë nuk është askund tjetër veçse në paradoksin: ata që duhet të ruajnë rendin e ligjit, duket se e interpretojnë ligjin sipas dëshirës së vet. Dhe qytetarët, të habitur, vazhdojnë të shikojnë… me kamera në dorë dhe ironinë në buzë.