Erion Alibej rrëfen krimet: Armët i blija te një hoxhë, në SKY edhe politikanë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.10.2025, 15:49

Një nga të penduarit e drejtësisë në dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, Erion Alibej, ka deklaruar në Gjykatën e Posaçme se armët e përdorura në vrasjet e porositura prej tij i kishte marrë nga një person që ai përshkruan si “hoxhë”, i cili vepronte në zonën e Freskut në Tiranë.

Në përgjigje të pyetjeve të avokates së të pandehurit Altin Ndoci, Alibej tha se kishte pasur kontakt me hoxhën përmes aplikacioneve të enkriptuara EncroChat dhe Sky, dhe se në EncroChat ai mbante pseudonimin “Noku”.

Armët për krimin i kam siguruar unë. Kam pasur një kontakt me dikë që njihej si hoxhë në zonën e Freskut në Tiranë. Kontaktin ia dhashë dikujt tjetër. Kam folur në ‘EncroChat’ dhe ‘Sky’ me të. Nuk e di emrin e tij. Më dërgonte edhe foto të armëve. Hoxhën e kam kontaktuar disa herë dhe kam marrë disa herë armë prej tij. Në ‘Encro’ hoxha mbante pseudonimin 'Noku'”, tha Alibej.

I penduari pohoi gjithashtu se hoxha ishte tregtar armësh dhe kishte grumbullime arme, ndërsa pagesat ai i kryente përmes personave të tjerë:

Hoxha ishte tregtar. Ai nuk kishte veç një kontakt. Armët i kishte të grumbulluara. Nuk është se i blija për secilën nga ngjarjet. Pagesën e bëja unë, lekët ia dërgoja Sandër Bahos dhe më pas ai paguante. Çmimi i armëve ka varuar nga 1,000 deri në 3,500 euro.”

Alibej shpjegoi se përdorte aplikacione të enkriptuara jo vetëm për çështje kriminale, por edhe për komunikime të biznesmenëve apo politikanëve, megjithëse deklaroi se nuk dini të emërtonte ndonjë politikan konkret:

“Nuk di emër politikani, por kam dëgjuar”, u shpreh ai.

Më parë, i penduari kishte pranuar se ishte financues i disa vrasjeve të porositura, përfshirë vrasjen e Dorian Shkozës ku humbi jetën edhe Anxhelo Avdia si dhe vrasjet e vëllezërve Haxhia, Rifers Runaj, Emiliano Ramazani dhe Bujar Çela, të gjitha, sipas tij, si hakmarrje për vrasjen e anëtarëve të familjes së tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit