Një situatë absurde po përsëritet çdo mëngjes pranë një shkolle në qytetin e Shkodrës, ku shitësit e peshkut, të papërgjegjshëm bllokojnë korsinë e biçikletave me govatë plot me peshk, peshore dhe sende të tjera, duke e kthyer hapësirën e dedikuar për biçikleta në një treg improvizuar.
Sipas një denoncimi të ardhur në redaksi, këta persona jo vetëm që zënë korsinë, por qëndrojnë aty gjatë, duke penguar qarkullimin e fëmijëve që çdo ditë kalojnë me biçikleta për të shkuar në shkollë. Problemi ndodh rregullisht në orarin e ngarkuar të mëngjesit, midis 07:20 dhe 07:45, pikërisht kur lëvizja e nxënësve është më e madhe.
Prindër dhe banorë të zonës shprehen të shqetësuar për mungesën e reagimit nga autoritetet dhe policia bashkiake, që sipas tyre duhet të garantojnë sigurinë e fëmijëve dhe respektimin e korsive të biçikletave, veçanërisht në afërsi të institucioneve arsimore.
Ky fenomen, që për fat të keq nuk është i izoluar vetëm në këtë zonë, tregon sa pak respektohet hapësira publike. Në vend që të shërbejë për fëmijët dhe qytetarët që zgjedhin biçikletën, korsia është shndërruar në një pengesë të përditshme, ku rreziku dhe papërgjegjshmëria bashkëjetojnë nën sytë e të gjithëve.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga bashkia dhe policia bashkiake, për të larguar personat që bllokojnë korsinë dhe për të vendosur sinjalistikë të qartë që garanton lëvizjen e sigurt të fëmijëve.