Me karrierën që po hyn në fazën e saj përmbyllëse, Lionel Messi po shfrytëzon çdo mundësi për të lënë pas një trashëgimi që shkon përtej fushës së lojës. Ndërsa përgatitet për Botërorin 2026 me Argjentinën, “Pleshti” ka nisur një projekt të ri që synon të frymëzojë brezat e ardhshëm të futbollit: “Messi Cup”, një turne ndërkombëtar për lojtarë të moshës nën 16 vjeç.
Kupa e parë “Messi Cup” do të zhvillohet në Miami, nga 9 deri më 14 dhjetor, dhe do të mbledhë tetë prej akademive më të mira të futbollit botëror: Chelsea, Manchester City, Barcelona, Newell’s Old Boys, Inter Milan, River Plate, Atletico Madrid dhe Inter Miami.
Skuadrat do të ndahen në dy grupe me nga katër ekipe, duke luajtur me sistem “round robin”, ndërsa ndeshjet finale dhe fazat me eliminim direkt do të zhvillohen në Chase Stadium dhe në qendrat stërvitore të Inter Miami.
Turneu, që mban emrin e ikonës argjentinase, nuk synon vetëm të evidentojë talentet e reja, por edhe të ndërthurë sportin me kulturën dhe komunitetin. Sipas organizatorëve të “525 Rosario”, kompanisë që bën pjesë në perandorinë mediatike të Messit, “Messi Cup” është menduar si një pikëtakimi mes futbollit të sotëm dhe yjeve të së ardhmes, duke krijuar një trashëgimi që shkon përtej rezultatit në fushë.
Gjatë javës së turneut, Miami do të kthehet në një qendër të futbollit të të rinjve dhe eventeve kulturore. Në agjendë parashikohet edhe një samit ndërkombëtar në “Faena Forum”, ku do të marrin pjesë figura të njohura nga bota e sportit, biznesit dhe artit, si dhe një mbrëmje gala “Messi Cup Summit Party” – që do të mbahet në restorantin Pao by Paul Qui.
Me këtë nismë, Lionel Messi duket se po shkon përtej legjendës së tij në fushë, duke ndërtuar një platformë që bashkon talentin, pasionin dhe ndikimin global të futbollit, aty ku e ardhmja e lojës nis të shkruhet sot.