Policia britanike zbarkon në Ballkan, në shënjestër “Çunat e Londrës” në Shqipëri

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.10.2025, 14:16

Një operacion i gjerë ndërkombëtar pritet të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, me objektiv shkatërrimin e rrjeteve të trafikut të kokainës që operojnë nga Amerika Latine drejt Europës.

Në qendër të këtij aksioni janë grupet e njohura kriminale të quajtura “çunat e Londrës”, të cilat dyshohet se kanë lidhje të fuqishme në Shqipëri.

Sipas agjencisë britanike NCA, e cila shpesh cilësohet si “FBI-ja britanike”, është ngritur një njësi e posaçme hetimore në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese të vendeve të Ballkanit. Qëllimi i saj është identifikimi dhe shkatërrimi i rrjeteve që kontrollojnë furnizimin e kokainës nga burimet në Amerikën e Jugut deri te tregjet e mëdha evropiane.

Në kuadër të këtij operacioni janë përfshirë Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova, të konsideruara pika kyçe në korridorin ballkanik të trafikut. Hetimet tregojnë se grupet kriminale menaxhojnë transportin përmes porteve në Adriatikut, duke përdorur kompani fiktive për të maskuar ngarkesat me drogë.

Autoritetet britanike theksojnë se grupet nga Ballkani Perëndimor kanë një ndikim të ndjeshëm në tregun global të kokainës, ndaj ky operacion është përqendruar te rrjetet që paraqesin kërcënimin më të madh për sigurinë ndërkombëtare.

Nisma për këtë bashkëpunim u finalizua gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, ku u theksua nevoja për forcimin e luftës kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Sipas hetimeve paraprake, “çunat e Londrës” kanë ngritur një strukturë të sofistikuar furnizimi dhe shpërndarjeje, që shtrihet nga Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore deri në Europën Qendrore.

Operacioni pritet të zgjerohet në javët e ardhshme, me paralajmërime për arrestime të rëndësishme në disa vende të rajonit, në kuadër të kësaj goditjeje të përbashkët kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit