Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në Radhimë, Vlorë.
Një makinë që po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara ka përplasur një tufë me kuaj, duke lënë të ngordhur në vend katër prej tyre dhe plagosur rëndë 1 tjetër.
Burime për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit ka qenë me shpejtësi mbi 200 km/h në momentin e aksidentit. Por sikur të mos mjaftonte kjo, i riu që drejtonte mjetin tip 'Golf" dyshohet se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin që ka shkaktuar aksidentin.
Fill pas përplasjes me kuajtë, i riu ka njoftuar babain dhe me ndërhyrjen e tij, policia ka fshehur ngjarjen dhe deri në publikimin e këtij lajmi, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për aksidentin e ndodhur me pasoja në kafshët e gjora.
Ndërkohë, shoferi që ka shkaktuar aksidentin ka publikuar në rrjetin social TikTok pamje të makinës së dëmtuar, pasi ajo i dhimbset më tepër se përplasja e kuajve dhe gjendja e tyre.