Është vetëdorëzuar në Policinë e Gjirokastrës Kamber Sulçaj, autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit italian Edoardo Sarchi në Salari të Tepelenës. Sulçaj ka mbërritur në ambientet e policisë i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 26 shtatorit. Viktima ndodhej në zonë për pushime tek miku i tij, Eqerem Braçi, dhe kishte dalë për të ndihmuar dy djemtë e këtij të fundit, të cilëve makina u ishte prishur në rrugë.
Gjatë rrugës, makina me të cilën po udhëtonin Sarchi dhe Braçi është përballur me automjetin që drejtohej nga Kamber Sulçaj. Debati ka nisur pasi Sulçaj nuk kishte fikur dritat e gjata, duke penguar shikimin e palës tjetër. Pas një përplasjeje verbale, të dyja palët kanë zbritur nga makinat, dhe më pas autori i dyshuar i ka ndjekur nga pas ndërsa po shkonin në ndihmë të djemve të bllokuar. Në këtë moment, Sulçaj ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të makinave të ndaluara.
Një plumb ka rikoshetuar në asfalt dhe ka goditur në arterien kryesore në këmbë italianin Edoardo Sarchi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa autori ndodhet tashmë në duart e policisë.