Vjedhjet e grabitjet e të miturve në vendin tonë sa vijnë e shtohen.
Çdo ditë, JOQ ALBANIA merr me dhjetëra mesazhe denoncuese për vjedhje të kryera nga të mitur e adoleshentë, që pa iu trembur ligjit fare, vjedhin çfarëdo që iu del para.
Së fundmi një qytetar nga Shkodra ka denoncuar një vjedhje të kryer nga disa të mitur, e cila nuk lidhet me vlerën monetare, por me gjestin e kryer prej tyre. Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë mund të shihni se si disa 14-vjeçarë vjedhin patatina nga vitrina e një dyqani në lagjen Perash dhe largohen me vrap, pa e ditur se kamera ka filmuar çdo veprim të tyre.
Si kjo vjedhje, por edhe më të rënda përsa i përket vlerave monetare, ndodhin çdo ditë në Shqipëri, pasi të miturit e dinë që ligji është i pafuqishëm dhe rrjedhimisht s'merr asnjë masë apo veprim ndaj tyre.
Por ndryshe nga ne ku të miturit bëjnë kërdinë me vjedhje, në Greqinë fqinje, autoritetet dinë si ti japin zgjidhje këtij fenomeni problematik e shqetësues.
Së fundmi Policia greke ka arrestuar dy adoleshentë 16‑vjeçarë nga zonat Ilioupoli, Argyroupoli dhe Alimos, pas dyshimeve se kishin kryer një seri grabitjesh në kioska dhe dyqane të vogla. Sipas hetuesve, grupi kriminal i të miturve ishte formuar që në shtator dhe vepronte kryesisht në orët e mëngjesit ose të natës.
Përtej të miturve, policia greke ka arrestuar edhe tre të rritur, prindërit e të miturve, për neglizhencë në mbikëqyrjen e tyre. Kjo tregon se kur prindërit kanë dështuar në rritjen, edukimin dhe mbikëqyrjen, janë ata që marrin mbi supe fajet dhe veprimet e tyre.