Një 28-vjeçar me origjinë nga Kolumbia është arrestuar nga policia në pikën kufitare të Muriqanit, pasi dyshohet se ishte përfshirë në një rrjet trafikimi të grave me qëllim prostitucioni. Sipas hetimeve të zhvilluara për rreth tre javë nga strukturat e Policisë së Durrësit, i riu mashtronte bashkëkombëset e tij, duke u premtuar punë të paguara në Shqipëri, kundrejt shumës prej 3000 euro, ndërsa më pas i detyronte të ushtronin prostitucion.
Operacioni policor i koduar “Storm 9” çoi në identifikimin e vendndodhjes së dy femrave kolumbiane, të cilat u gjetën në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 18 të qytetit bregdetar. Gjatë kontrollit, jo vetëm që u konstatua se ato ishin të përfshira në veprimtari të prostitucionit, por edhe se përdoreshin për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Autori u ndalua teksa tentonte të largohej nga vendi dhe tashmë përballet me akuzat për “Trafikim të personave të rritur” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e procedurave ligjore, ndërsa hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal vazhdojnë.