Pas disa ditësh me mot të qëndrueshëm e temperatura të buta, pritet që dielli t’i lërë vendin reshjeve. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, ndryshimi i kushteve atmosferike do të nisë që nga e enjtja në mesditë, fillimisht në jug të vendit, ndërsa të premten reshjet do të shtrihen në të gjithë territorin.
Meteorologët parashikojnë që në qarqet e veriut si Shkodra, Lezha dhe Kukësi, si dhe në jugun e vendit, Gjirokastër dhe Vlorë, reshjet të jenë mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata. Në pjesën tjetër të vendit, parashikohen reshje të dobëta dhe të herëpashershme.
Në Tiranë, reshjet do të nisin të premten në mëngjes dhe do të jenë të lehta por të vazhdueshme deri në mesditë, ndërsa pasdite do të kalojnë në karakter lokal.
Motit të paqëndrueshëm do t’i vijë fundi gradualisht gjatë fundjavës. E shtuna pritet të sjellë ndërprerje të reshjeve në disa zona, përfshirë edhe kryeqytetin, ndërsa në jug do të ketë ende shi të dobët e lokal. Të dielën, parashikohet stabilizim i motit dhe rikthim i ditëve me diell në pjesën më të madhe të vendit.
Sa i përket temperaturave, ato do të pësojnë rritje të lehtë prej rreth 2 gradësh Celsius deri të dielën, kur pritet të arrijnë deri në 10°C në Tiranë dhe zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore termometri do të shënojë rreth 6°C.