Punonjësit e Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Roskovec kanë denoncuar në redaksinë tonë mungesën e pagave për orët shtesë prej më shumë se tre vitesh.
Ata thonë se, ndonëse kanë kryer me dhjetëra orë pune jashtë orarit zyrtar, madje edhe jashtë territorit të bashkisë për të ndihmuar qytete të tjera në raste emergjencash, nuk janë paguar asnjëherë për këto orë shtesë, të cilat sipas ligjit u takojnë.
Zjarrfikësit thonë se kanë bërë ankesa verbale te drejtuesit vendorë, përfshirë kryetaren e Bashkisë Majlinda Bufi dhe zëvendëskryetarin, por nuk kanë marrë asnjë sqarim. Madje ata thonë se kur janë ankuar janë përballur me penalizime për shkak të bindjeve të tyre në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Punonjësit kujtojnë se sipas Ligjit nr. 10138, datë 11.05.2009, si dhe Kodit të Punës, çdo orë shtesë duhet të kompensohet. Edhe VKM nr. 915, datë 29.12.2014 i detyron bashkitë të mbajnë regjistër të orëve të punës dhe të shpërblejnë në mënyrë të drejtë punonjësit e shërbimeve emergjente.
Zjarrfikësit i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore dhe organeve të kontrollit të ndërhyjnë urgjentisht për të hetuar shkeljet e pretenduara dhe për të garantuar pagesat që u takojnë për punën e ndershme e shpesh të rrezikshme që kryejnë në shërbim të komunitetit.
Denoncimi i zjarrfikësve:
"Përshëndetje JOQ, Ne, punonjësit e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Roskovec, prej tre vitesh nuk kemi marrë pagesën për orët shtesë që na takojnë me ligj. Këto orë janë të dokumentuara dhe shpesh janë realizuar edhe jashtë territorit të bashkisë sonë, duke shkuar në ndihmë të qyteteve të tjera në raste emergjente. Megjithatë, orët shtesë nuk na firmosen dhe nuk janë shpërblyer deri më sot nga kryetarja e bashkis Majlinda Bufi, Sipas Ligjit nr. 10138, datë 11.05.2009 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin”, si dhe Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë (nenet 91 dhe 92), punonjësit zjarrfikës kanë të drejtë të paguhen për orët shtesë të kryera jashtë orarit të zakonshëm të punës.
Po ashtu, VKM nr. 915, datë 29.12.2014 përcakton se bashkitë janë të detyruara të mbajnë regjistrin e orëve të punës dhe të kompensojnë çdo orë shtesë të punonjësve zjarrfikës. Kërkojmë me respekt që kjo situatë të shqyrtohet dhe të zgjidhet sa më parë, në mënyrë që të respektohen të drejtat tona ligjore dhe të vlerësohet puna e ndershme që bëjmë çdo ditë në shërbim të qytetarëve.
Me respekt, Punonjësit e Shërbimit Zjarrfikës Bashkia Roskovec
Nuk kemi ber ankese me shkrese sepse kemi frik mo na heqin nga puna. Me goje kemi bere ankesa te prefekti Lefter Shehaj edhe urdhrin e kryeministrit bashkia Roskovec nuk po e zbaton. Po kemi takuar kryetaren dhe zv kryetarin dhe nuk na japin shpjegim thjesht kapen qe disa nga zjarrfiksit nuk kan votuar kryetaren ne vitin 2023 per kryetare bashkie ketu ka filluar kjo situate