Naftëtarët e Marinzës, të punësuar pranë kompanisë kineze “Bankers Petroleum”, kanë hyrë në një grevë pa afat, pasi kërkesat e tyre për përmirësim të kushteve të punës dhe rritje pagash nuk janë marrë parasysh nga kompania.
Greva, e organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, vjen pas disa protestave të ditëve të fundit. Naftëtarët kërkojnë rritjen me 18% të buxhetit vjetor të pagave, duke argumentuar se paga mesatare aktuale prej 60 mijë lekësh është e papërballueshme për kushtet e vështira të punës që kryejnë.
Ata kërkojnë që asnjë punonjës të mos paguhet më pak se 1000 euro në muaj, si dhe përmirësim të trajtimit ushqimor dhe shëndetësor.
Grevës së punonjësve i shtohet edhe konteksti i tensionuar ligjor që përfshin kompaninë. Kujtojmë se “Bankers Petroleum” është objekt hetimi nga SPAK, me 14 të arrestuar, përfshirë CEO-n kinez Hongping Xiao dhe ish-drejtorin Leonidha Çobo, të akuzuar për mashtrim fiskal dhe shpërdorim detyre, me një dëm të dyshuar prej 110 milionë lekësh ndaj shtetit shqiptar.
Naftëtarët janë shprehur të vendosur se nuk do të tërhiqen nga greva pa nisur dialogu dhe pa marrë garanci konkrete për zgjidhjen e kërkesave të tyre.