Një ndër problemet më të mëdha të shqiptarëve që asnjë qeveri nuk i ka dhënë zgjidhje deri më sot, vijon të jetë pronësia e tokave me certifikata të vlefshme. Shumë njerëz fituan tokë me ligjin 7501, por nuk i gëzuan dot asnjëherë ato prona. Ky ligj mund të “pagëzohet” ndryshe me emrin “Ligji që po copëton shqiptarët” të cilët prej vitesh luftojnë për të marrë atë që u takon.
Njëri prej këtyre shqiptarëve që nuk gjejnë drejtësi është edhe Skënder Cekani, nga fshati Gostimë i Polisit në Librazhd. Pasi prej vitesh nuk po gjen drejtësi nga institucionet në Librazhd, këtë të mërkurë vendosi të udhëtojë drejt Tiranës me shpresën që çështjen ta bëjë publike.
Ai u paraqit në disa media, por derën nuk ia hapi askush! I gjetur mes 4 rrugëve dhe me zgjidhej që të kthehej nga erdhi, ai arriti të kontaktojë me redaksinë e “TVA News” ku kërkoi që zëri i tij të bëhet publik.
Gjatë intervistës ai tregoi se disponon “Aktin e marrjes së tokës në pronësi”, ku nga hipoteka i është konfirmuar se është zotërues i 5452 metrave katror tokë arë dhe 300 metër katror tokë truall. Por këtë pronë ai nuk e gëzon sot e kësaj dite, pasi thotë se vëllai i tij Nazmi Cekani ka falsifikuar një procesverbal.
Skënderi tregon se ka bërë dhe një vit burg për pronën e tij, pasi vëllai me dokumenta të falsifikuara e ka kallëzuar sikur nuk e lejon të futet në pronë.
Pas të gjithë këtij kalvari, Skënder Cekani i është drejtuar me një kallëzim krimit ekonomik në Elbasan, ku ka takuar oficerin Olsi Marku. Ky i fundit e ka referuar çështjen në prokurori, por më pas Skënderi nuk ka marrë asnjë përgjigje për vijimin e hetimeve.
Në momentin që ka shkuar për t’u interesuar, është përballur me gjyqtaren e famshme të bandave, Pajtime Fetahu, e cila doli nga burgu disa javë më parë, me argumentin se është e sëmurë. Gjyqtarja e ka kërcënuar me arrogancë: Mos hajde më këtu se do të fus pas hekurave.
Teksa i bën thirrje institucioneve të reagojnë, Skënderi thotë: “Ky është korrupsion antinjerëzor që po më çon drejt një viktime. Karakteri im dhe gjaku im nuk është vrasës, por po detyrohem të bëj vetëgjyqësi. Kam një besim se do gjej zgjidhje.”
Sipas asaj që thotë denoncuesi, vëllai i tij po përdoret nga një politikan i njohur në zonë, i cili ka qëllim që të ndërtojë një cental në pronën që me dokumentat të ligjit 7501 i takon Skënder Cekanit.
Procesverbali i falsifikuar!

Akti i marrjes së tokës në pronësi!

Përgjigje nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Librazhd!


Skica e tokës!

Shkrimi u mor nga TVA News!