Modelja në Itali vritet nga ish-partneri 52-vjeçar

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 15.10.2025, 12:28

Një krim i rëndë pasioni ka tronditur mbrëmë qytetin e Milanos. Modelja 29-vjeçare Pamela Genini humbi jetën tragjikisht, pasi u godit për vdekje me thikë nga ish-partneri i saj, biznesmeni 52-vjeçar Gianluca Soncin.

Sipas hetimeve, Soncin kishte shkuar në banesën e Pamelës për ta bindur që të rifillonin lidhjen. Por takimi mori përmasat e një makthi. Kur e reja kuptoi se ai ishte i dhunshëm dhe jeta e saj rrezikohej, ajo kërkoi ndihmë duke telefonuar një ish-partner tjetër, i cili menjëherë njoftoi policinë. “Ajo donte ta linte përfundimisht. E kishte vendosur,” ka deklaruar ai më vonë për hetuesit.

Pamela arriti të komunikonte me policinë dhe ndërsa po hapte derën, tha vetëm një fjalë: “Erdhën.” Por në atë çast, Soncin e tërhoqi me forcë drejt ballkonit dhe e goditi për vdekje dhjetra herë me thikë. Kur efektivët arritën të hynin brenda, ajo ishte tashmë pa shenja jete, ndërsa autori gjendej i plagosur në qafë, duke tentuar vetëvrasjen. Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku u ia doli t'i shpëtojë plagëve të marra dhe më pas u arrestua nën akuzën për femicid.

Fqinjët treguan se Pamela kishte qenë prej kohësh nën ankth për shkak të ish-partnerit, i cili e kishte kërcënuar disa herë dhe kishte tentuar të hynte me forcë në banesën e saj.

Kush ishte Pamela Genini:

Pamela ishte me origjinë nga Strozza, një fshat në provincën e Bergamos, bijë e një nëne ruse dhe një babai italian. Ajo kishte ndërtuar një karrierë të suksesshme si modele, duke punuar në Monte Carlo, Milano dhe Dubai, dhe ishte bërë e njohur që në moshën 19-vjeçare pas pjesëmarrjes në programin televiziv “L’isola di Adamo ed Eva” (“Ishulli i Adamit dhe Evës”). Në vitet e fundit, ajo kishte hapur një biznes online të quajtur “EP SheLux”, së bashku me mikeshën e saj, Elisa Bortolotti.

Të gjithë që e njihnin e përshkruajnë si një vajzë të gëzuar, energjike dhe me dashuri të madhe për jetën – dhe për qenin e saj, të cilin nuk e linte kurrë vetëm.

Pamela kishte qenë në lidhje me Gianluca Soncin për rreth një vit. Gjatë pushimeve të verës në ishullin e Elbës, marrëdhënia e tyre u shkatërrua pas një grindjeje të dhunshme, ku Soncin e kërcënoi se do t’i vriste qenin. Edhe pse ajo u largua dhe vendosi ta linte, ai nuk e pranoi ndarjen.

Tragjedia e Pamelës ka shkaktuar zemërim të madh në opinionin publik italian, duke rikthyer në qendër të debatit plagën e dhunës ndaj grave — një fenomen që, pavarësisht thirrjeve për ndërgjegjësim, vazhdon të marrë jetë pas jete.

Lajm i marrë nga TVA NEWS!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit