Një qytetare nga një lagje e kryeqytetit ka denoncuar në redaksinë tonë për mungesën totale të reagimit nga institucionet shtetërore. Ajo tregon se makina e një personi me lidhje ka bllokuar hyrjen e shtëpisë së saj prej ditësh, por as Policia e Shtetit, as Policia Bashkiake nuk marrin masa.
Kjo situatë, sipas denoncueses, është tregues i një sistemi ku drejtësia nuk funksionon për qytetarët e thjeshtë, por për ata që kanë “të njohur”. Ky rast reflekton mospërfilljen që përjetojnë shumë qytetarë kur përballen me abuzime dhe mungesë përgjegjshmërie nga ana e institucioneve.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje, jeta është qejf. Shteti ka hapur 100 platforma për ankesat e qytetarëve e asnjë nuk vepron. Makina na ka bllokuar hyrjen e shtëpisë dhe nuk merr masa asnjë. Policia e Shtetit vjen e ikën dhe thotë “e ka Policia Bashkiake”. Policia Bashkiake nuk reagon sepse e dinë ata pse nuk reagojnë. Na thoni a nuk duhet ta zgjidhim vetë rastin? Se zotërinjtë kanë njohje dhe bëjnë të fortin. Anonim. Përveç që bllokojnë rrugën me makina, kanë edhe ndërtim pa leje në oborrin e përbashkët dhe, megjithë ankesat tona, nuk i lëviz njeri sepse i kanë të gjithë të punësuar në shtet. Ky është aksioni për lirimin e hapësirave sipas qejfit. Policia e Shtetit vjen, thotë “ke të drejtë, por s’veprojmë dot, merr Policinë Bashkiake”. Policia Bashkiake thotë duhet të vijë Policia e Shtetit. Të paktën bëjeni ju një punë të mirë se këtu vështirë të gjendet e drejta.