Minatorët e galerisë së bakrit “Tete Albania” në Spaç të Mirditës vijojnë protestën për të dhjetën ditë radhazi, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës dhe pagesa më të drejta.
Situata paraqitet e qetë, ndërsa punonjës të Policisë së Rendit dhe FNSH-së qëndrojnë në gatishmëri brenda perimetrit të minierës për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit.
Puna në galeri është pezulluar prej 10 ditësh, pasi minatorët janë të vendosur të mos rikthehen pa marrë garanci për respektimin e kontratave dhe përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë.
Ata theksojnë se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat minimale për dinjitet dhe trajtim të drejtë profesional.
Kjo protestë nënvizon tensionet e vazhdueshme në sektorin minerar në vend, ku shpeshherë mungojnë investimet në siguri dhe nuk respektohen të drejtat e punëtorëve.