Hetimet për vrasjen e dyfishtë që tronditi kampingun në Finikounda, Greqi, ku humbën jetën një shtetas grek dhe një shqiptar, janë komplikuar më tej nga dëshmitë kontradiktore të dy të dyshuarve 22-vjeçarë, të cilët ndodhen tashmë në pranga.
Sipas mediave greke, të rinjtë kanë dhënë versione të ndryshme të ngjarjes së ndodhur më 5 tetor, duke akuzuar njëri-tjetrin si autor të krimit. I riu që u vetëdorëzua dje në polici, i shoqëruar nga avokati i tij, ka deklaruar se ishte shoku i tij ai që hyri në kamping dhe kreu vrasjen e pronarit grek dhe mikut të tij shqiptar, ndërsa ai vetë qëndroi jashtë, duke pritur me motor.
Bazuar në këtë dëshmi, policia vuri në pranga edhe 22-vjeçarin tjetër, i dyshuar si autor i krimit. Megjithatë, edhe ky i fundit e ka mohuar përfshirjen direkte, duke e akuzuar bashkëpunëtorin si personin që qëlloi me armë ndaj viktimave.
Ndërkohë, një nga dëshmitarët kryesorë të ngjarjes, nipi i viktimës greke, ka identifikuar njërin prej të arrestuarve si autorin e vrasjes. Megjithatë, i riu ka deklaruar para hetuesve se nuk njihte asnjërin nga viktimat dhe nuk kishte asnjë motiv për të kryer vrasje.
Hetimet për zbardhjen e plotë të krimit vijojnë, ndërsa autoritetet greke po shqyrtojnë të gjitha provat, përfshirë dëshmitë e të dyshuarve, dëshmitarëve dhe provat e mbledhura nga vendngjarja.