Banorët e Kukësit janë alarmuar mëngjesin e sotëm rreth orës 06:35, pasi në Rrugën e Turizmit u raportua për një granatë ofensive e lënë në mes të bulevardit. Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke siguruar perimetrin dhe duke evakuuar zonën për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për qytetarët.
Pas mbërritjes në vendngjarje, forcat xheniere të ardhura nga Tirana kryen verifikimet e nevojshme dhe zbuluan se objekti i dyshuar ishte një granatë lodër, pa asnjë rrezik për jetën apo sigurinë publike. Megjithatë, prania e saj në një zonë të banuar ka ngritur shqetësime dhe dyshime për motive të mundshme pas vendosjes së saj.
Policia e Kukësit njoftoi se është ngritur një grup hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për të identifikuar autorët dhe rrethanat e vendosjes së objektit në rrugë. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me strukturat e tjera të sigurisë.