Në bllokun shqiptar dominojnë akuzat për keqpërdorime

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 15.10.2025, 09:32

Fushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet në një kohë debatesh të intensifikuara mbi ndryshimet kushtetuese të nevojshme për përparimin drejt Bashkimit Evropian dhe në kushte pakënaqësie sociale. Në bllokun politik shqiptar dominojnë akuzat për keqpërdorime mes kandidatëve për kryetarë komunash, pa anashkaluar edhe nivelin qendror, të ndarë në pozitë dhe opozitë mbi baza etnike.

Në fushatën për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, kandidatët për kryetarë komunash dhe kandidatët për këshillat komunale kanë intensifikuar aktivitetet e tyre për të joshur votuesit me programet zgjedhore.

Megjithatë, kjo fushatë është zhvilluar nën hijen e fyerjeve dhe skandaleve të ndryshme, si ajo e përgjimeve, si dhe të akuzave e kundërakuzave mes taboreve partiake, duke lënë shpesh në plan të dytë debatin për zgjidhjet reale të problemeve të qytetarëve.

Koalicioni VLEN, që aktualisht është në pushtet, përmes përfaqësuesve qeveritarë, gjatë promovimit të kandidatëve komunalë, është zotuar për investime të mëdha kapitale.

Gjatë një tubimi në Gostivar, zëvendëskryeministri Arben Fetai u zotua për investime prej 1 miliard eurosh në komunat e vendit, pa specifikuar sa prej tyre do të shkojnë në buxhetet e komunave që pritet t’i udhëheqin shqiptarët.

“Ne, brenda këtij mandati qeveritar, do të investojmë 1 miliard euro nëpër komuna për t’i dhënë domethënie procesit të decentralizimit dhe për ta përkthyer atë në projekte konkrete. Në këto 15 muaj janë investuar 292 milionë euro në komunat e mbarë vendit. Vetëm në komunat shqiptare janë investuar 82 milionë euro”, tha Fetai.

Ndërkohë, edhe retorika e Aleancës Kombëtare për Integrim mbetet e shkëputur nga nevojat dhe kërkesat reale të qytetarëve, duke devijuar nga qëllimi kryesor i zgjedhjeve lokale.

“Ne jemi kufi ndërtues dhe shtetformues, sepse i dalim zot Marrëveshjes së Ohrit dhe sakrificës së kombit. Këtu ka shumë ish-ushtarë të UÇK-së, shumë familje që janë solidarizuar me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare”, theksoi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

OSBE ka vlerësuar se zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen në një kontekst shoqëror dhe politik që vazhdon të jetë thellësisht i polarizuar.

Sipas Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, mosbesimi në institucione, perceptimet për përhapjen e korrupsionit, si dhe tensionet mbi identitetin kombëtar dhe përfaqësimin etnik, vazhdojnë të formësojnë mjedisin zgjedhor në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit