Një granatë ofensive e gjetur në orët e para të mëngjesit të sotëm ka shkaktuar panik mes banorëve të Kukësit. Rreth orës 06:35, në zonën e njohur si Rruga e Turizmit, qytetarët kanë njoftuar policinë për praninë e një mjeti shpërthyes. Menjëherë shërbimet e rendit kanë mbërritur në vendngjarje, kanë izoluar perimetrin dhe kanë nisur evakuimin e zonës për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për jetën e banorëve.
Forcat xheniere nga Tirana janë thirrur për çaktivizimin e granatës, ndërkohë që grupi hetimor i ngritur nga Policia e Kukësit po heton për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët që mund ta kenë lënë mjetin shpërthyes në zonë. Deri tani nuk raportohet për të lënduar, por ngjarja ka tronditur rëndë komunitetin lokal.