Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke ironizuar ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, pas urdhrit për sekuestrimin e monopatinave, skuterave dhe motorëve elektrikë.
Ky vendim, që ka hyrë në fuqi ditën e hënë, ka shkaktuar indinjatë të madhe në publik, pasi shumë qytetarë i përdorin këto mjete për të shkuar në punë apo shkollë.
Në një video të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, një qytetar nga Tirana i drejtohet ministres Albana Koçiu me tone ironike dhe kritike:
“O teze Koçiu, o Policia e Shtetit, që vetëm brekët na kanë ngelur pa na i hequr. Me këtë ikim në punë, ikim në kurs, ikim në shkollë. Pse kjo ka ngelur për shqiptarët? Kujdes, duhej ta kishe ndaluar që në doganë. Po cunat që kanë marrë lekë me kredi, me borxh, me fajde, çfarë do bëjnë tani? Me çfarë do iki në punë unë? Thirri mendjes teze Koçiu, qeveria shqiptare merrni masa, nuk na vjen e keqja nga monopatinat.”
Vendimi për ndalimin e përkohshëm të mjeteve elektrike është marrë si masë emergjente për shkak të shtimit të aksidenteve, por mënyra e zbatimit të tij ka shkaktuar kaos dhe zemërim. Mijëra monopatina janë bllokuar gjatë dy ditëve të fundit, ndërsa qytetarët shprehen se janë gjendur të papërgatitur.
Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur qindra denoncime, ku qytetarët tregojnë historitë e tyre të përditshme. Një punëtor nga Kamza shprehej se punon deri në orën 11:30 të natës, ndërsa autobusi i fundit niset në 10:30, dhe tashmë nuk ka më si të kthehet në shtëpi. Një tjetër tregoi se i është sekuestruar motori elektrik vetëm tre ditë pasi e kishte blerë me kredi.
Një mësuese e huaj në Tiranë po ashtu ka shprehur pakënaqësinë e saj, pasi skuterin e përdorte për të lëvizur mes kopshteve ku jep mësim. “E përdor për punë, jo për qejf. Nuk mund të ndalohet një ditë për tjetrën pa paralajmërim. Unë respektoj rregullat e qarkullimit, mbaj kaskë dhe përdor korsinë e biçikletave,” – tha ajo për JOQ Albania.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë nga autoritetet që të rishikojnë vendimin, duke vendosur rregulla dhe standarde të qarta, në vend të sekuestrimeve masive që po prekin njerëz të ndershëm që i përdorin këto mjete për punë.