Në Itali, Gjykata Civile e qytetit Asti ka njohur me vendim të shkallës së parë lidhjen shkak-pasojë midis vaksinës kundër Covid-19 dhe një dëmtimi të rëndë neurologjik që i ka pamundësuar një gruaje 52-vjeçare të ecë. Ministria e Shëndetësisë, e cila në fazën administrative kishte refuzuar kërkesën për kompensim, është dënuar të njohë lidhjen mes vaksinës dhe dëmtimit. Lajmin e kanë bërë publik avokatët e gruas, pronare e një dyqani në qytetin Alba (provinca Cuneo).
Gjykata kishte emëruar dy ekspertë teknikë, të cilët i dhanë të drejtë gruas. Kompensimi është rreth tre mijë euro në muaj, me pagesë çdo dy muaj. Ndryshe nga dëmshpërblimi, që presupozon përgjegjësi apo dëm të padrejtë, kompensimi është një formë mbështetjeje ekonomike e përcaktuar me ligj dhe nuk nënkupton domosdoshmërisht faj nga pala që e paguan.
Gruaja vuan nga mielit transvers pas marrjes së vaksinës Comirnaty, të prodhuar nga Pfizer-BioNTech. Sot ajo nuk mund të ecë dhe kishte filluar të shfaqte simptomat pas dozës së dytë të vaksinës, në prill 2021. Më 10 shkurt 2022 ajo u shtrua në spitalin e Orbassano-s (Torino) për “dyshim për mielit me origjinë inflamatore”. Në letrën e daljes, të datës 17 shkurt, mjeku kishte shkruar: “Nuk mund të përjashtohet një rol nxitës i vaksinës.” Pas kësaj nisi kërkesa për kompensim, e cila solli përballjen me Ministrinë e Shëndetësisë dhe AIFA-n (Agjencia Italiane e Barnave), të përfaqësuara nga Avokatura e Shtetit.
Sipas Gjykatës, distanca e shkurtër kohore midis vaksinimit dhe shfaqjes së simptomave ishte element vendimtar për vendimin. Në vendimin e dhënë më 26 shtator përmendet edhe databaza e AIFA-s, e cila regjistron 593 raste të mielitit transvers pas vaksinimit deri në vitin 2022, prej të cilave 280 të lidhura me vaksinat mRNA.
“Sipas ekspertëve janë identifikuar raste të izoluara ku vaksinat me virus të inaktivuar dhe ato me bazë mRNA kanë shkaktuar sindroma akute të demielinizimit të palcës kurrizore, si skleroza multiple apo neuromieliti optik,” bënë të ditur avokatët e 52-vjeçares.